Sopranoja me famë botërore, Ermonela Jaho, është nderuar së fundmi me Medaljen Presidenciale të Meritave nga Vjosa Osmani, për kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e kulturës dhe promovimin e vlerave kombëtare.
Jaho ndau me ndjekësit e saj në Facebook disa fotografi nga ceremonia, duke shprehur emocionet e saj dhe mesazhin e fuqishëm që shoqëron këtë nderim. Në mbishkrimin e postimit, ajo shkroi: “E nderuar Presidente e Republikës së Kosovës, Sh. S. Znj. Vjosa Osmani, të nderuar njerëz të zemrës”.
“Sot e pranoj këtë nderim me përulësi të thellë, por edhe me një ndjenjë të fuqishme përgjegjësie. Sepse ky nuk është vetëm një titull, është një amanet, një thirrje për të mos harruar kush jemi dhe nga vijmë. Kosova për mua nuk ka qenë kurrë thjesht një vend në hartë. Ka qenë një ndjenjë… një zë i brendshëm që më ka shoqëruar që në fëmijëri. Historia e saj — dhimbja, sakrifica dhe qëndresa — na kanë mësuar se forca jonë më e madhe nuk qëndron vetëm në të kaluarën, por në dashurinë që kemi për njëri-tjetrin sot”, ka shkruar Jaho.






