Premier League nuk ndalet as gjatë festave dhe si traditë rikthehet me “Boxing Day”. Edhe pse këtë vit me një ndeshje të vetme më 26 dhjetor, ajo mes Manchester United dhe Newcastle në Old Trafford mbetet shumë e rëndësishme.
Djajtë e Kuq do të përballen me mungesa të ndjeshme për shkak dëmtimesh, ku veçohet Bruno Fernandes. Trajneri Ruben Amorim theksoi rëndësinë e mesfushorit portugez dhe ndikimin e tij në lojën e ekipit.
“Bruno Fernandes është një lojtar që nuk mund të zëvendësohet, por i thashë ekipit të shohim anën pozitive. Tani disa lojtarë duhet të përmirësohen – jo vetëm në krijimin e lojës, por edhe në çdo goditje standarde. Ai organizon gjithçka, dhe kjo është një mundësi për të tjerët që të kuptojnë se nuk mund të mbështetemi vetëm te një lojtar. Humbja e tij do të ndikojë gjithçka, sepse ai kupton çdo detaj në fushë dhe tregon pozicionimin e duhur për të tjerët.” tha Amorim.
Nga ana tjetër, Newcastle vjen në Old Trafford me një formë të qëndrueshme këtë sezon, duke kërkuar pikët për të qëndruar lart në tabelë. Edhe trajneri Eddie Howe nuk mund të llogarisë në mbrojtësit Botman, Burn, Livramento dhe Trippier.
Ndeshja mes tyre zhvillohet nesër nga ora 21:00, në një nga stadiumet më ikonike siç është ‘Teatri i ëndrrave’.
Pas 17 xhirosh në Ligën Angleze Skuadra e Ruben Amorim është në vendin e shtatë me 26 pikë, ndërsa skuadra e Eddie Howe mban vendin e njëmbëdhjetë me 23 pikë. /ATVLIVE.TV






