Përgatiti: Kastriot Tahiri
Flamuri kombëtar valoi mbi kullat e Jasharëve edhe këtë 28 Nëntor.
Në ditën kur shqiptarët shënojnë 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, daljen e parë të UÇK-së në skenë dhe ditëlindjen e komandantit Adem Jashari, vizitat në kompleksin memorial ishin të shumta.
“Ashtu sikurse çdo 28 Nëntor, edhe këtë 28 Nëntor erdhëm në Prekazin legjendar për t’u përkulur para sakrificës së madhe së familjes Jashari, për ta kujtuar edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe daljen e saj, si dhe për ta kujtuar edhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Derisa në Prekaz arriti në orët e pasdites, kryeministri, Albin Kurti përmendi Llaushën si bartëse të kryengritjes në Kosovë.
Kurti uroi 28 nëntorin edhe me një postim në rrjetet sociale derisa prezantoi projektin i cili do të zbatohet në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Nuk munguan as liderë të opozitës.
“Normalisht është edhe një festë e cila na emocionon, sepse nuk i kemi në mesin tonë themeluesit dhe udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimin dhe shokët e tyre”, tha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Në Ditën e Flamurit dhe në ditëlindjen e komandantit Adem Jashari, të shumtë ishin edhe qytetarët që vizituan Prekazin.
“Janë ndjenja shumë të veçanta, kemi data shumë historike prej Ismail Qemalit, e deri në daljen publike e ditëlindjen e Adem Jasharit, janë data që nuk përsëriten edhe s’përshkruhen më në jetë”, tha një qytetar.
Përpos vizitës, udhëheqës institucionesh e qytetarë bëjnë homazhe para varreve të anëtarëve të familjes Jashari.