Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, përkatësisht Stacioni Policor në Gjakovë – Sektori i Hetimeve, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin dhe lokalizimin e një personi të dyshuar.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari dyshohet se më 12 tetor 2025, në një qendër tregtare në Gjakovë, ka kryer veprat penale “Kanosje” dhe “Sulm”.
Pavarësisht veprimeve hetimore të ndërmarra deri më tani, identiteti i tij ende nuk është arritur të zbulohet.
Me qëllim të avancimit të procedurës hetimore, Policia e Kosovës ka ftuar të gjithë qytetarët që, nëse posedojnë informacione që mund të ndihmojnë në identifikimin apo lokalizimin e personit të dyshuar, i cili shihet në fotografinë e bashkangjitur, të kontaktojnë autoritetet përmes numrit emergjent 192, stacionit më të afërt policor ose përmes adresës elektronike zyrtare [email protected].
Policia ka garantuar se të gjitha informacionet e pranuara do të trajtohen me konfidencialitet të plotë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.







