Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandës në zonën kufitare të Hanit të Elezit, duke sekuestruar mallra në vlerë prej mbi 35 mijë euro.
Rasti ka ndodhur rreth orës 16:30, kur njësitë patrulluese kanë hasur një furgon që kishte hyrë ilegalisht nga Maqedonia e Veriut përmes rrugëve malore. Shoferi i dyshuar, ende i paidentifikuar, braktisi automjetin dhe u largua nga vendi i ngjarjes.
Në automjet u gjetën mjete pune, motosharra, motor 4×4 për fëmijë, si dhe sasi të konsiderueshme tekstili, bizhuterish dhe veshmbathjesh të markave të njohura si Adidas, Nike, Louis Vuitton, Versace e të tjera.
Policia njoftoi se automjeti kishte targa të falsifikuara dhe dokumentacion të parregullt. Me urdhër të prokurorit, rasti është proceduar si “kontrabandim me mallra”, ndërsa mallrat e sekuestruara janë dërguar në terminalin doganor për verifikim.
Njoftimi i plotë:
Njësitë patrulluese të Drejtorisë Rajonale Kufitare – Lindje (DRK-Lindje) Kaçanik, konkretisht Stacioni Policor për Mbikëqyrje Kufitare – Hani i Elezit, kanë parandaluar një rast të kontrabandës në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Rreth orës 16:30, gjatë një prite të mirëorganizuar policore, njësitë patrulluese kanë identifikuar një automjet të tipit furgon me targa 05-XXX-XX, i cili kishte hyrë përmes rrugëve ilegale malore nga territori i Maqedonisë së Veriut në drejtim të Republikës së Kosovës. Me të vërejtur zyrtarët policorë, personi i dyshuar – i cili për momentin mbetet i paidentifikuar – ka tentuar të kthehet në drejtim të fshatit Bllacë (RMV). Në pamundësi për t’iu shmangur kontrolleve policore, ai ka braktisur automjetin në një rrugë malore dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Gjatë kontrollimit të automjetit është gjetur një sasi e konsiderueshme mallrash të kontrabanduara me dokumentacion nga Maqedonia e Veriut, përfshirë: mjete pune, motosharra, motor 4×4 për fëmijë, produkte kozmetike, bizhuteri, tekstile dhe veshmbathje të markave të mbrojtura si Adidas, Boss, Nike, Louis Vuitton, Versace, Diesel, Philipp Plein etj.
Nga verifikimet është konstatuar se automjeti nuk posedonte dokumentacion të rregullt dhe targat ishin të falsifikuara. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është proceduar si “kontrabandim me mallra”, ndërsa automjeti dhe mallrat e kontrabanduara janë konfiskuar dhe janë dërguar në terminalin doganor në Han të Elezit për numërim dhe vlerësim. Sipas parashikimeve, vlera e përgjithshme e mallit së bashku me automjetin e sekuestruar kalon shumën prej 35.000 euro.
Policia Kufitare e Kosovës mbetet e vendosur në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, duke garantuar siguri dhe kontroll të plotë në kufijtë e Republikës së Kosovës.