Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar gjashtë raste të dhunës në familje në komuna të ndryshme të vendit.
Prishtinë
Në Prishtina janë raportuar dy raste.
Në njërin, një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga i dashuri i saj.
Në rastin tjetër, një person dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj nënës së tij dhe ka demoluar shtëpinë.
Pas intervistimit, në të dy rastet është iniciuar procedurë e rregullt.
Pejë
Në Peja, një nënë dhe djali i saj raportuan se djali, përkatësisht vëllai i tyre, ka ushtruar dhunë fizike ndaj tyre. I dyshuari, i cili sipas Policisë ishte nën ndikim të alkoolit, ka sulmuar fizikisht edhe dy zyrtarë policorë gjatë arrestimit. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
Rahovec
Në Rahovec është arrestuar një grua, e cila dyshohet se ka dëbuar nga shtëpia bashkëshortin dhe e ka kanosur atë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.
Gjakovë
Në Gjakova janë shënuar dy raste.
Në njërin, një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëjetuesen e tij, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Ai është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Në rastin tjetër, një çift (të dashur mes vete) janë përleshur pas një mosmarrëveshjeje. Të dy kanë refuzuar trajtimin mjekësor, ndërsa në vendin e ngjarjes është konfiskuar një thikë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari mashkull është dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.






