Policia Rajonale e Ferizajt ka intensifikuar aktivitetet në terren me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion, duke realizuar kontrolle të shtuara gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe është regjistruar një aksident trafiku me lëndime, ku një person ka pësuar lëndime trupore.
Në kuadër të kontrolleve, zyrtarët policorë kanë shqiptuar gjithsej 240 gjoba për shkelje të ndryshme të rregullave të trafikut. Prej tyre, 74 gjoba janë shqiptuar për tejkalim të shpejtësisë, 48 për mosrespektim të shenjave të komunikacionit, 18 për parkim të parregullt, 15 për qarkullim me afat të skaduar të regjistrimit të mjetit, 10 për përdorim të telefonit gjatë ngasjes, 3 për drejtim të automjetit pa patentë shofer, 2 për mosvendosje të rripit të sigurisë, ndërsa 70 gjoba të tjera janë shqiptuar për kundërvajtje të ndryshme.
Si rezultat i shkeljeve të rënda të rregullave të trafikut, policia ka konfiskuar një automjet, katër skuterë/motoçikleta dhe ka sekuestruar katër patentë shoferë.
Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në rrugë.





