Përgatiti: Driton Sadiku
Është ndeshje futbolli, por Policia garanton siguri.
Tashmë angazhimi i policëve në këso punë, do të paguhet më shumë, meqë Ministria e Punëve të Brendshme ka përgatitur rregulloren e re, me të cilën parashihet forma e angazhimit dhe kompensimit, kur policët ftohen nga organizatorë të ngjarjeve publike.
Sipas dokumentit, i cili tashmë është në fazën e konsultimeve publike, organizatori duhet të bëjë kërkesë te institucioni i policisë, 7 ditë para zhvillimit të ngjarjes, dhe paralelisht policia bën organizimin e pjesëtarëve, varësisht llojit të organizimit.
Për tarifën e angazhimit, do të vendosë drejtori i përgjithshëm i policisë, edhe pse jozyrtarisht ATV-ja kupton se bëhet fjalë për gjysmën e shumës aktuale.
“Sipas udhëzimit të ri apo normativës së re do të jetë përafërsisht 150 deri në 200 euro aktivitete e caktuara për zyrtarët të cilët do të marrin pjesë në aktivitete të caktuara nën ombrellën e policisë e cila shfrytëzohet si kompani përkatëse, e cila ofron siguri në atë eveniment”, tha Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë.
Kompensimi, po ashtu, përfshin të gjitha shpenzimet lidhur me angazhimin shtesë, përfshirë orët shtesë të punës për pjesëtarët e Policisë, shpenzimet për pajisjet dhe materialet e përdorura gjatë angazhimit, si dhe kostot për transportin dhe logjistikën e Policisë në dhe nga vendi i ngjarjes.
“Kjo në aspektin financiar është profitabile edhe për policinë po njëkohësisht edhe për efektivët të cilët angazhohen në atë plan operativ apo eveniment. Dihet që deri më tani këto punë janë kryer në formë sekondare të cilën e kanë apliku policia por tash me këtë formën e rregullimit padyshim do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë dhe një stimulim”, tha Shala.
“Zyrtarëve policorë iu takon pagesa për orët shtesë, realisht kjo është e rregulluar edhe me ligjin e punës, prandaj secili rregullim me akte nënligjore është vetëm aprovim dhe respektim i ligjit”, tha Florim Shefqeti, jurist.
Ndërkaq, sa i përket pagesës, Organizatori është i detyruar që atë ta bëjë brenda 10 ditëve nga përfundimi i ngjarjes.