Plani i rritjes, qeveria dorëzoi agjendën e reformave, por hesht për projektet

Përgatiti: Fatlum Jashari

Qeveria vijon të mos jap detaje për listën dhe numrin e projekteve për të cilat synon të përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian në vlerë të përgjithshme 6 miliardë euro, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Gjashtë muaj prej kur presidentja e Komisionit Evropian, prezantoi, në Prishtinë, planin që ka qëllim përshpejtimin e zhvillimit e rajonit dhe përafrimin me tregun e BE-së, Qeveria ka dërguar në Bruksel vetëm draft-agjendën finale të reformave.

“Projektet investive janë ende duke u diskutuar në nivel ndërinstitucional dhe në fazën e dytë është ajo çfarë do të prezantohet tek BE-ja, pra lista indikative e projekteve të cilat do të jenë të lidhura me pesë fushat prioritare të Planit të Rritjes”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zv-kryeministrit Besnik Bislimi.

Ndryshe nga Kosova, në takimin ministror në Podgoricë, që përkoi me afatin e fundit dorëzimin e agjendës së reformave, qeveria malazeze njoftoi se ka një listë prej 44 projektesh infrastrukturore, për të cilat do të kërkojë mjete financiare.

Për dallim nga instrumentet tjera të BE-së, Plani i Rritjes nuk parasheh ndarje të barabartë të mjeteve financiare, por bazohet në shpejtësi dhe reforma.

Referuar shpejtësisë së veprimit të shteteve fqinj, eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu tha se Kosova është në situatë më të pavolitshme, si pasojë e neglizhencës, masave ndëshkuese, jo-stabilitetit politik dhe dialogut me Serbinë.

“Në qoftë se vërtetë nuk do të jemi të gatshëm për normalizim të raporteve me Serbinë, edhe Serbia dhe Kosova në njëfarë forme do të jenë të penalizuara. Por, humbjen më të madhe do të përjetojë Kosova, qoftë në sapektin ekonomik, qoftë në atë politik apo social, mbi të gjitha në atë integrues. Prandaj, besoj që është koha kur duhet të depolitizohet realiteti kosovar, duhet të jetë ekonomia prioritet, sepse me këtë mbështetje eventuale hapet një perspektivë e re”, tha Gërxhaliu.

Ditë më parë Parlamenti Evropian miratoi këtë plan, ndërsa javë më parë BE-ja i konfirmoi ATV-së se pagesat e para pritet të bëhen në verë.

Draft-agjenda ka pesë shtylla kryesore ku përfshihen më shumë se 100 aktivitete të cilat duhet të përmbushen ose zbatohen, në më shumë se 30 fusha të ndryshme, deri në vitin 2027.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA