Ish-luftëtari i UÇK-së, Lahi Brahimaj ka kujtuar me nder dhe krenari dëshmorët Myrte Zeneli dhe Faruk Zeneli.
Përmes një postimi në Facebook, Brahimaj thotë se data 21 maj ishte një datë e rëndë për UÇK-në, por edhe një pikë kthese që dëshmoi se lufta për çlirim do të barte sakrifica e humbje të mëdha, si rënia e djemve si Myrta e Faruku.
“Me Myrten ishim bashkëfshatarë, por edhe bashkërrugëtarë që nga fillimi i rezistencës. Myrta ishte model dhe frymëzim si luftëtar, me besimin e palëkundur se një ditë UÇK-ja do të triumfonte dhe ashtu doli. Edhe pse Myrta ra heroikisht, ne sot e gëzojmë lirinë falë gjakut dhe sakrificës së djemve si ai”.
“Faruk Zeneli, si një i ri që fatin e vendit e kishte vendosur para fatit personal, e njoha që në fillim të luftës në Jabllanicë, duke u rreshtuar me djemtë dhe vajzat më të zotë të kësaj ane. Lavdi e përjetshme dëshmorëve!”, ka shkruar ai.





