Mike Tyson ka zbuluar detaje të reja rreth ndeshjes së tij të ardhshme të boksit ndaj Floyd Mayweather, e cila pritet të zhvillohet në fillim të vitit të ardhshëm.
Dy legjendat e sportit, që secili ka lënë gjurmë në historinë e boksit në mënyrën e vet, do të përballen në një ndeshje ekspozuese që pritet t’u sjellë fitime të konsiderueshme të dyve. Tani Tyson ka bërë publik edhe disa elementë të marrëveshjes.
“Ky meç është diçka që as bota, as unë, nuk e kemi imagjinuar se do të mund të ndodhte. Megjithatë, boksi ka hyrë në një epokë të re të paparashikueshmërisë dhe ky duel është aq i pazakontë sa që tani po bëhet realitet”, tha Tyson për MMA Weekly.
“Ende nuk mund ta besoj që Floyd pranoi. Do të jetë e vështirë për të nga ana fizike, por ai e dëshiron ndeshjen. Ne kemi nënshkruar kontratën dhe do të përballemi.”
Edhe pse numri i raundeve, madhësia e dorezave dhe dimensionet e ringut nuk janë bërë ende të ditura, Tyson ka zbuluar të paktën një detaj të rëndësishëm – kohën dhe vendin e duelit.
“Do të luftojmë në mars, në Afrikë. Do të thyejmë çdo rekord, do të jetë një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e sportit”, përfundoi ai.
Të dy, pasi kanë përfunduar karriera të jashtëzakonshme dhe kanë grumbulluar së bashku plot 100 fitore, kanë marrë pjesë në disa ndeshje miqësore, por asnjëherë më parë nuk kanë zhvilluar një duel të tillë.
Gjatë karrierës së tij, Tyson ka luftuar në kategorinë e peshave të rënda, me peshë rreth 100 kilogramë, ndërsa Mayweather është ndeshur në pesë kategori të ndryshme, nga 60 deri në 70 kilogramë. Pikërisht ky dallim i madh në peshë pritet të tërheqë një numër të madh tifozësh drejt këtij dueli historik. /ATVLIVE.TV






