5 C
Pristina
Friday, January 30, 2026

PDK: Tendenca për rishkrimin e historisë në shkolla, e papranueshme, Specialja ka devijuar nga misioni

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, mbajti sot një konferencë për media ku shprehu shqetësimin e thellë të PDK-së lidhur me ligjëratat e mbajtura në shkollat e Kosovës nga përfaqësues të Gjykatës Speciale dhe bashkëpunëtorët e saj.

Sipas Grudës, incizimet e publikuara në media dëshmojnë se gjatë këtyre prezantimeve, para nxënësve të mitur, është përdorur një gjuhë e papranueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të arsimit dhe të një shoqërie demokratike.

“Nxënësve, shumica nën moshën 18-vjeçare, u janë paraqitur pretendime të njëanshme, duke u etiketuar ish-krerët e UÇK-së si kryerës të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.

Kjo është skandaloze dhe e papranueshme”, theksoi Gruda. Ai paralajmëroi se lufta çlirimtare e Kosovës nuk po sulmohet më vetëm në sallat e Gjykatës Speciale në Hagë, por se e njëjta narrativë po tentohet të futet edhe në bankat shkollore.

“Lufta jonë po sulmohet edhe nga bankat dhe klasat e shkollave tona. Por e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohet në emër të ‘drejtësisë’ selektive, as të deformohet kujtesa kolektive në emër të ‘edukimit’,” tha ai.

Deputeti i PDK-së theksoi se shqetësimi i partisë është shumëdimensional. Ai përmendi rrezikun e indoktrinimit të nxënësve, përpjekjet për rishkrimin e historisë së Kosovës, si dhe shkeljen e parimit të prezumimit të pafajësisë.

“Toni i përdorur në këto prezantime i trajton Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin si fajtorë, duke paragjykuar vendimin përfundimtar.

Gjykatat e vërteta merren me drejtësi, jo me propagandë”, deklaroi Gruda.

Ai shtoi se kjo Gjykatë ka devijuar nga misioni i saj fillestar.

“Ajo është dashur të ndihmojë në zbardhjen e së vërtetës dhe në heqjen e njollave ndaj UÇK-së, por është shndërruar në një mekanizëm që tenton të rishkruajë historinë”, u shpreh ai. PDK kërkon sqarim urgjent se kush është përgjegjës për këto ligjërata dhe si ka ndodhur që prezantime të paraqitura si ligjërata për të drejtat e fëmijëve të shndërrohen në mesazhe politike. “Kërkojmë llogari nga Ministria e Arsimit për mënyrën se si lejohet që kushdo t’u ligjërojë nxënësve në shkollat e Kosovës, pa mbikëqyrje institucionale dhe pa standard profesional,” theksoi Gruda.

Në këtë kontekst, ai tha se marshi i paralajmëruar për 17 shkurt, me moton “Drejtësi, jo politikë”, është një reagim i natyrshëm në momentin kur procesi në Hagë ka hyrë në fazën finale. Në përmbyllje, Gruda theksoi qëndrimin e palëkundur të PDK-së. “Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë pjesë e historisë sonë të lavdishme çlirimtare. Ata nuk janë fajtorë për asnjë krim.

PDK qëndron fuqishëm në mbrojtje të tyre, në mbrojtje të UÇK-së dhe në mbrojtje të së vërtetës për Kosovën”, tha Gruda.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA