Shaqir Totaj, kryetari aktual i Prizrenit, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës edhe për një mandat, në ditën e katërt të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, ndau një video të titulluar “4 vite në 40 sekonda”, ku paraqiten investimet dhe projektet e realizuara në të gjitha lagjet dhe fshatrat e qytetit.
Totaj falenderoi bashkatdhetarët për mesazhet dhe mbështetjen e tyre. Ai u bërë thirrje qytetarëve që të votojnë të dielën në mënyrë të organizuar.
Në Dragash, kandidati i PDK-së Shaban Shabani apeloi qytetarët për mbështetje në raundin e dytë të zgjedhjeve.
Nga Kaçaniku, kryetari aktual Sabedin Vishi, kandidat edhe për një mandat, ditën e katërt të fushatës e fokusoi në fuqizimin e pozitës së grave dhe vajzave të reja me premtimin për fuqizimin e pozitës së gruas në shoqëri.
Në Mitrovicë, kandidati i PDK-së Arian Tahiri gjatë takimit në “Birlik” premtoi një qeverisje të bashkuar dhe gjithëpërfshirëse në raundin e dytë të zgjedhjeve që zhvillohet të dielën, më 9 nëntor.
Tahiri shpërndau edhe një video-mesazh, ku shprehet se qytetarët janë prioriteti i tij: “I përulem vullnetit qytetar. Jetojmë dhe punojmë për Mitrovicën.”
Ferit Idrizi, kryetari aktual, kandidat edhe për një mandat në Vushtrri, ishte pranë qytetarëve në rrugë, tregje e biznese për të promovuar vizionin e tij për një të ardhme më të mirë.
Ndërsa në Klinë, kandidati Sokol Bashota premtoi infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe zhvillim ekonomik.







