Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se janë refuzuar të 32 amandamentet, të cilat Grupi Parlamentar i PDK-së i propozoi për buxhetin e Kosovës.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu tha se amandamentet e propozuara nuk e kanë marrë mbështetjen e VV-së, dhe për rrjedhojë tha se buxheti për vitin 2026 nuk do ta ketë mbështetjen e PDK-së.
“PDK me 32 amendamente e saj, të cilat i ka propozuar duke bërë përpjekje të bëjë këtë buxhet sa më të plotë, gjithëpërfshirës nuk ka gjetë mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje. Janë amendamente që kanë të bëjnë me paga më të mira, siguri më të madhe, investime konkrete në shëndetësi, arsim, bujqësi, infrastrukturore. Kemi propozuar edhe amendamente që kanë të bëjnë me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat në sektorin publik.
Kemi pasur edhe amendament që kërkon rritjen e fondeve për mbështetjen në mbrojtje juridike në proceset gjyqësore në Hagë që lloftarët tanë në Hagë të sigurohen që të kenë një mbrojtje dinjitoze. Ne nuk kemi arritur që për to të marrim mbështetjen e partisë së udhëheqë me vendin dhe si i tillë, ky buxhet do të jetë i mangët, buxhet që nuk përfaqëson barazinë dhe ka probleme, përmbajtjesore, strukturore dhe si i tillë nuk do ta ketë mbështetjen e PDK-së”, tha Deliu.






