Përgatiti: Fatlum Jashari
Dy ditë pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, që hodhi poshtë kërkesën e Safet Demirit për kthimin e adresës së pasivizuar në Medvegjë, Bashkimi Evropian tha se nuk është në dijeni të hollësive për rastin.
Në pyetjen e ATV-së, zëdhënësja për fqinjësi dhe zgjerim e bllokut 27-anëtarësh foli për problemin në përgjithësi.
“Lidhur me rastin specifik gjyqësor nuk mund të komentoj, sepse nuk i kam detajet. Por ju e dini se kjo është një çështje që ne e përcjellim në raportin e zgjerimit. I kemi shënuar shqetësimet për pasivizimin e adresave të pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në jug të Serbisë. Jemi duke e përcjellë situatën në dritë të zotimeve të ndërmarra nga Serbia në kuadër të negociatave për anëtarësim, veçanërisht ato që ndërlidhen me personat që u takojnë pakicave kombëtare”, tha zëdhënësja e BE-së, Ana Pisonero.
Pa përmendur veprime konkrete, ajo tregoi kërkesën e BE-së ndaj Serbisë.
“Mendoj se e kemi bërë të qartë nevojën që autoritetet serbe të sqarojnë më mirë se si po kryhen kontrollet për statusin e rezidencës, që po rezultojnë në pasivizim të adresave të caktuara, dhe nëse jugu i Serbisë është i targetuar në veçanti. Kjo është çështje që adresohet në procesin e zgjerimit, konkretisht në raportet për zgjerim”, tha Pisonero.
Në reagimin e parë pas vendimit, presidentja Vjosa Osmani tha se spastrimi etnik nëpërmjet pasivizimit të adresave mori vulën e gjykatës së politizuar kushtetuese në Serbi, teksa vuri në pah mungesën e presionit për të ndalur këtë shkelje.
“Fatkeqësisht, reagimi ndërkombëtar ndaj këtyre shkeljeve po mungon, përkundër shkeljeve flagrante të të drejtave të shqiptarëve në Serbi. Po mungojnë, po ashtu, veprimet në raport me Serbinë, sa i përket marrjes së përgjegjësisë për këto shkelje”, tha Osmani.
Vetë Demiri, por edhe përfaqësues të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, e cilësuan vendimin si legalizim të spastrimit etnik, teksa paralajmëruan adresim të çështjes në gjykatën për të drejtat e njeriut në Strasburg.
Derisa llogaritet se mbi 6 mijë adresa të shqiptarëve në Luginë janë pasivizuar ndër vite, në të kaluarën SHBA-ja dhe Parlamenti Evropian kanë shprehur shqetësim lidhur zbatimin targetues të ligjit nga autoritetet serbe.