Pas Zetës dhe Plevlës, iniciativa për miratimin e deklaratave simbolike për tërheqjen e njohjes së Kosovës pritet të zgjerohet edhe në një komunë tjetër në Mal të Zi.
Lideri i Partisë Demokratike Popullore (DNP), Milan Knezheviq, ka bërë të ditur se partia e tij së shpejti do të shpallë emrin e komunës së radhës ku do të kërkojë miratimin e një deklarate për “çnjohjen” e Kosovës, ndonëse nuk ka zbuluar ende se për cilën komunë bëhet fjalë.
Paralajmërimi vjen pasi Kuvendi Komunal i Plevlës miratoi një deklaratë për tërheqjen e vendimit për njohjen e Kosovës, duke u bërë komuna e dytë në Mal të Zi, pas Zetës, që ndërmerr një veprim të tillë me iniciativë të DNP-së.
Deklarata u votua nga 18 këshilltarë të pranishëm. Përfaqësuesit e Lëvizjes Evropa Tani (PES) dhe një këshilltar i pavarur u larguan nga seanca para votimit, ndërsa këshilltarët e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) nuk morën pjesë në mbledhje.
Knezheviq e përshëndeti vendimin e Plevlës, duke e cilësuar njohjen e Kosovës si “padrejtësi historike”, ndërsa nga Uashingtoni njoftoi se DNP ka nisur një fushatë diplomatike me sloganin “Ta bëjmë Malin e Zi sërish të madh”.
Megjithëse deklaratat e miratuara nga komunat nuk kanë asnjë efekt juridik, pasi njohja ose tërheqja e njohjes së shteteve është kompetencë ekskluzive e Qeverisë së Malit të Zi, ato po përdoren si platformë politike nga komunat ku partitë pro-serbe kanë shumicën.
Veprimi i Plevlës shkaktoi reagime të menjëhershme në Podgoricë. Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, tha se komunat nuk kanë kompetenca për politikën e jashtme dhe se iniciativa të tilla dëmtojnë rrugën evropiane të Malit të Zi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.
Kritika erdhën edhe nga përfaqësues të DPS-së dhe SDP-së, të cilët vlerësuan se këto deklarata thellojnë ndarjet politike dhe dërgojnë mesazhe negative ndaj partnerëve evropianë të Malit të Zi.
Pas Zetës dhe Plevlës, kërkesa për një deklaratë të ngjashme është bërë edhe në komunën e Herceg Novit, ku subjektet pro-serbe po synojnë ta vendosin çështjen e Kosovës në rendin e ditës të kuvendit komunal.





