Romelu Lukaku është rikthyer në stërvitje me Napolin dhe sipas raportimeve të së martës, mund të jetë i gatshëm për rikthim në ndeshje zyrtare në Superkupën e Italisë, e cila zhvillohet këtë javë në Arabinë Saudite.
Sulmuesi belg ka qenë jashtë fushave për 124 ditë, pas një dëmtimi serioz në kofshë të pësuar më 14 gusht gjatë një ndeshjeje miqësore parasezonale kundër Olympiacosit.
Lëndimi i Lukakut, i ndodhur vetëm pak ditë para nisjes së sezonit të Serie A, detyroi Napolin të veprojë shpejt në treg, duke përshpejtuar afrimin e Rasmus Højlund, pasi u bë e qartë se trajneri Antonio Conte do të mbetej pa sulmuesin kryesor për disa muaj.
Tashmë, situata duket më pozitive për Conten, pasi Lukaku është rikthyer në stërvitje që nga e hëna dhe pritet të udhëtojë me skuadrën drejt Riadit për Superkupën e Italisë. Kështu, trajneri italian mund të ketë në dispozicion Lukakun, Højlundin dhe Lorenzo Luccën për këtë turne.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Napoli do të udhëtojë drejt Arabisë Saudite të martën pasdite, ndërsa ende mbetet e paqartë se sa minuta do të mund të aktivizohet Lukaku, duke marrë parasysh se ai ka munguar në gjithsej 22 ndeshje në Serie A, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Italisë. /ATVLIVE.TV






