Vetëm tri ditë na ndajnë nga 12 tetori, dita kur qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e komunës së tyre për katër vitet e ardhshme.
Por, bazuar në të kaluarën, shumë komuna nuk kanë arritur që të zgjedhin kryetarin në raundin e parë, meqë asnjëri prej kandidatëve nuk ka arritur të fitojë 50% + 1 votë të numërimit të përgjithshëm të votave të vlefshme dhe, rrjedhimisht, kanë shkuar në balotazh.
Sipas njohësve, këto zgjedhje lokale pritet të karakterizohen me më shumë balotazhe dhe garë më të tensionuar në raundin e dytë.
“Është e mundshme që një numër i konsiderueshëm i komunave, sidomos ato të mëdha, të përballen në balotazh edhe në zgjedhjet e 12 tetorit. Si zakonisht, vetëm disa prej komunave arrijnë të zgjedhin kryetarin në raundin e parë, ndërsa shumica përballen me garën e dytë, për shkak të ndarjes së votës përmes forcave politike dhe figurave pak më të fuqishme lokale që janë,” tha Buzhala.
Sipas analistit politik Lavdim Hamiti, rritja e garës mes subjekteve politike ndikon në rezultatet e së dielës.
Madje, sipas Hamitit, balotazhi mund edhe të përmbysë rezultatet e raundit të parë.
“Në disa raste, balotazhi ka vetëm rikonfirmim për të kryetarit nëse ai ka qeverisur mirë, por ka ndodhur edhe në të kaluarën që balotazhi e ka përmbysur fituesin. P.sh., në Prishtinë, Arben Vitia ishte i pari në raundin e parë, Përparim Rama ka qenë i dyti, dhe kjo e ka përmbysur garën në balotazh,”shtoi Hamiti.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, katër javë pas votimeve të 12 tetorit duhet të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për Kryetar të Komunave, e që sipas kalendarit i bie të jetë data 9 nëntor 2025.
Më 2021, vetëm 17 komuna e zgjodhën kryetarin në raundin e parë, kurse 21 prej tyre shkuan në balotazh.