Kryeministri në detyrë, Albin Kurti u kritikua pasi u paraqit në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin në të cilin ish-udhëheqësi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, akuzohet për kanosje ndaj tij.
Kurti u paraqit në Gjykatë, ndërsa pati reagime të shumta për faktin se ai po refuzon të dëshmojë në Prokurori për rastin e rezervave shtetërore.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, në një reagim ka thënë se paraqitja e kryeministrit Kurti në Gjykatë për rastin e kanosjes ndaj tij nuk është kurrfarë standardi i dyfishtë në raport me ftesën nga Prokuroria Speciale.
Kryeziu ka përsëritur se në rastin e rezervave shtetërore, Kurti kishte shprehur gatishmëri që të intervistohet në zyrën e tij. Ai ka bërë të ditur se në rastin e kanosjes, Kurti është intervistuar nga zyrtarë hetues të autorizuar nga Prokuroria, pikërisht në zyrën e tij. Kryziu ka bërë të ditur se intervistimi ka ndodhur më 10 qershor.
Paraqitja e kryeministrit Kurti në Gjykatë për rastin e kanosjes ndaj tij nuk është kurrfarë standardi i dyfishtë në raport me ftesën nga Prokuroria Speciale.
Sa i përket ftesës së Prokurorisë Speciale, kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij. Përkundrazi, ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të respektuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies, duke kërkuar që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë.
Ndërkaq në lidhje me rastin e kanosjes, zyrtarët hetues të autorizuar nga Prokuroria e kanë intervistuar kryeministrin Kurti pikërisht në zyrën e tij më 10 qershor 2025. Sot ai u paraqit në gjykatë si palë e dëmtuar./ATVLIVE/