Tri ditë më parë në fshatin Magure të Lipjanit dyshohet që një grup personash të komunitetit rom, kanë sulmuar Skendër Shahinin para shtëpisë së tij, si dhe veteranin e luftës së UÇK-së, Bekim Meta, i cili kishte ndërhyrë për të ndarë palët.
Në lidhje me këtë në Gjykatën Themelore në Lipjan po përballen veterani i luftës së UÇK-së, Bekim Meta dhe fqinji i tij, Skendër Shahini.
Kështu para gjykatës po protestojnë një grup i veteranëve e qytetarëve të Lipjanit në mbështetje të veteranit Bekim Meta, duke kërkuar nga organet e drejtësisë trajtim të drejtë të rastit. Ata vlerësojnë se Meta është i pafajshëm pasi ai vetëm ka ndërhyrë për të i ndarë palët.
Besim Jusufi, veteran i luftës së UÇK-së, i cili është në mesin e protestuesve, thotë për KosovaPress, se konflikti lidhet me një ngjarje të pasluftës, kur Shahini kishte raportuar në polici armë dhe municion që, sipas tij, ishin gjetur në shtëpinë e një familjeje rome.
“Protesta, ose përkrahja është për veteranin Bekim Meta, i cili është sulmuar me një fjalë nga pala tjetër. Nuk… është sulmuar fqinji i Bekimit, po Bekimi ka ndërhyrë me i ndarë fillimisht. Po me kohën tani edhe ai ka qenë pjesë e asaj. Ata dihen… e dinë edhe policia, e dinë edhe qytetarët e Magurës kush janë ajo pala tjetër. Ata nja dy, sipas informatave që janë, janë kanë të veshur edhe në kohën e ish-Serbisë. Ata nuk jetojnë në Magurë, jetojnë në Serbi diku, por kanë ardhë në mënyrë të organizuar diku 22-23 vetë kanë qenë si kanë marrë pjesë në atë aksion, që e kanë sulmuar fillimisht fqinjin e Bekim Metës, Skender Shahini. Sipas fjalëve të fqinjit, të atij Skenderit, pas lufte i ka gjetur ca armatim në shtëpi të tyre edhe ca municion goxha shumë, diku nja 30 kg a diçka. Edhe ata i kanë thënë për mos me e njoftuar rastin në polici ose edhe në KFOR, t’i japim para e sende. Po ai s’ka pranuar Skenda edhe tani një kohë bukur të gjatë, pas disa viteve, kanë ardhë edhe e kanë sulmuar. Gjoja se ia kanë zënë pronën, po ai Skenda s’ia ka zënë pronën, në pronë të vet. Ata e kanë pronën qysh e kanë lënë ashtu edhe është hala”, tha Jusufi për KosovaPress.
Njëri nga pjesëmarrësit tjerë në protestë, Ramë Bardhi, tha për KosovaPress, se është e padrejtë mbajtja e veteranit Bekim Metës sepse ndër të tjerash, sulmuesit e kanë kërcënuar duke thënë “Kurgjo nuk kemi ba në ‘98, çka kemi me bërë tash“.
“Arsyeja kryesore është me u liruar çlirimtari. Me u liruar çlirimtari. Nuk ka kurrfarë arsye me mbajtur në burg çlirimtarin. Me ardhë prej Serbisë kriminel e me sulmuar çlirimtarin në Magurë, kjo nuk tolerohet. Kjo nuk tolerohet. Janë ardhë e kanë sulmuar fqinjin. Ky veterani, çlirimtari, ky veç ka ndërhyrë me i nda. Po kur ka hy aty, ata nisin me keqpërdorur, me pa u përlesh… Ne protesta s’kemi me ndalur. Në qoftë se dënohet çlirimtari, protesta s’kemi me ndalur. Deri sa të lirohet shpejt. Deri sa të lirohet shpejt. Protesta s’kemi me ndalur. S’kemi me ndalur”, tha ai.
Edhe veterani i luftës, Sejdi Dulla, tha se nuk e kishte menduar që veteranët do të përballeshin me situata të tilla shumë vite pas përfundimit të luftës.
“Po, të them të drejtën, 30 vitet mbas luftës se kemi menduar ne që kemi me pasë, me na ardhur kriminelë, me na ardhur paramilitarët edhe me na sulmuar nëpër shtëpia. Ne veteranë të luftës ose ne invalidë të luftës, me na u sulmuar njerëz që kanë qenë me uniforma paramilitarë të Serbisë. Edhe fillimisht, unë i përshëndes të gjithë këta pjesëmarrës që kanë marrë, që kanë marrë pjesë në protesta, edhe kërkoj nga gjykata që veteranin ta lirojnë përnjëherë, se ne jemi në shtëpinë tonë, ata kanë qenë paramilitarë. Ata kanë qenë tre të veshur prej tyre. Edhe kështu që me ardhë me na sulmuar, është e padrejtë. Po nuk di çka me thënë, nuk e di, s’kam besuar kurrë që ka me ardh kjo ditë që mbas kësaj kohe me ardhë prapë paramilitarët edhe me na sulmuar nëpër shtëpia.”, u shpreh Dulla.
Ndërkaq, Arsim Jusufi tha se protestuesit presin që gjykata të marrë një vendim të drejtë, duke shtuar se do të vazhdojnë protestat nëse Meta nuk lirohet.
“Ky është një organizim mbështetje një djalit që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm, i cili ende pas 26 vite i ka tre predha në kokë në tru e nuk guxojnë me i larguar edhe e vuan atë pasojë për me çliruar vendin tonë. Njeriu ka qenë në shtëpi të vet, ata janë ardhë tri ditë më herët, kanë provokuar me drona, me gjëra edhe ka ardhur deri te problemi, tash shpresojmë që organet e drejtësisë, në këtë rast gjykata, në të japë verdiktin e drejtë edhe të lirohet Bekimi e të vijnë në shtëpi të vet për arsye se është shumë i sëmurë. Ne do vazhdojmë, unë besoj që do bisedojmë me me të gjithë bashkëluftëtarët do të vazhdojmë protestën paqësore deri në lirimin e tijna. Nuk mund të barazohet luftëtari i lirisë me njerëz që kanë qenë të veshur në uniformë. Ata duhet me u dënuar për atë që e kanë bërë vitet ’90-’99 edhe për problemet e të gjitha të cilat i kanë bërë”, tha ai.
Sipas protestuesit Arsim Jusufi rasti në Magurë të Lipjanit, nuk është i vetmi, pasi i njëjti problem po ndodh edhe në fshatin Grac, ku po bëhen provokime.
“Të njëjtin problem e ke edhe në Grac, në fshatin Grac ku kanë ardhë nja dy autobusë edhe mbrëmë po provokojnë domethënë me fjalë e dini ju, fjalë separatiste të tyre edhe kjo është një sinjal për organet e sigurisë në këtë rast, për Ministrinë e Brendshme që do të vijnë në të mirën me këtë mos t’ia lënë qytetarëve këtë problem po në të mirë të institucioneve këtë gjë”, tha ai.
Ndërsa vendimi i Gjykatës së Lipjanit për rastin e Skendër Shahinit dhe veteranit Bekim Beka pritet të merret pas përfundimit të procedurës gjyqësore.





