Kryedemokrati Sali Berisha i bëri sot thirrje NATO-s që të forcojë mbrojtjen ajrore të Shqipërisë, një ditë pas paralajmërimit të Ambasadës Amerikane për sulme të mundshme të Iranit në Shqipëri.
“Paralajmërimi i ambasadës së SHBA nuk është pa bazë! I bëj thirrje NATO-s të forcojë mbrojtjen ajrore të Shqipërisë”, tha Berisha për mediat.
Duke komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama për procesin e integrimit, Berisha u shpreh: “Në pjesën e parë tha ashtu jemi, pastaj tha e kanë fuqitë e mëdha, shtetet. Edhe herën tjetër, mbaje mend këtu, do thotë ata imperialistët, gjithmonë e kanë pasur problemin me Shqipërinë”.
Ambasada Amerikane në Tiranë dha dje alarmin se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara, ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Sipas njoftimit të ambasadës amerikane, në shënjestër mund të jenë edhe vende të zakonshme, si zona turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. /a2cnn/






