Berat Gjimshiti ishte protagonist negativ në ndeshjen ndaj Interit, duke gabuar në aksionin që i dha kundërshtarëve golin e fitores. Goli i vetëm i takimit që u shënua në minutën e 65-të, kur Lautaro Martinez përfitoi nga një kundërsulm i shpejtë.
Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i Atalantës, Raffaele Palladino, doli në mbrojtje të mbrojtësit shqiptar, duke theksuar se bëhet fjalë për një episod të izoluar.
“Në fund të ndeshjes e përqafova Gjimshitin, sepse ai zakonisht nuk bën gabime të tilla. Janë situata që ndodhin në futboll dhe nuk mund ta fajësoj për këtë,” deklaroi trajneri.
Tekniku i Atalantës pranoi gjithashtu se skuadra e tij nuk ishte mjaftueshëm e saktë në fazën përfundimtare. “Kemi gabuar në zgjedhjet tona në momentet vendimtare. Patëm disa raste, si ai i Samardziçit, por kundër skuadrave si Interi duhet t’i shfrytëzosh, sepse nuk të japin shumë mundësi,” përfundoi trajneri.
Golin e vetëm të këtij dueli e shënoi Lautaro Martinez, falë një aksioni që “lindi” prej gabimit të Berat Gjimshitit. Ndërkohë që mbrojtësi shqiptar ka reaguar sot në rrjetet sociale, duke kërkuar falje.
“U kërkoj falje të gjithë shokëve të ekipit dhe tifozëve për gabimin që ndryshoi lojën. Përpara Atalanta në çdo situatë”, shkruan Berat Gjimshiti në rrjetet sociale. /ATVLIVE.TV






