As brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk presin shumë nga takimi i planifikuar mes liderit të saj Lumir Abdixhikut me Albin Kurtin, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ky pesimizëm nënkuptohet kur lexon deklaratën e sotme të Bajram Gecajt, këshilltarit politik të Përparim Ramës dhe anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.
Ish-zëvendësministri dhe dikur këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa tha sot se çdo përpjekje për dialog politik me Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje është e dështuar.
“Mashtrohen rëndë ata që besojnë se ‘ujku e ka ndërruar zanatin.’ Arroganca e numrave, e shfaqur hapur edhe kur LVV kishte 42%, nuk ka pushuar as sot, vetëm se disa ende refuzojnë ta lexojnë realitetin”, shkroi Gecaj në një postim në Facebook të hënën.
“Populli thotë, ‘çka ka shpija, kallëzon fëmija,’ dhe këtë e dëshmon më së miri arroganca e zhveshur nga çdo maskë e Mefail Bajqinovcit, kur deklaron se “PDK duhet të tregojë nëse me 22 deputetë i ka këto 30 nënshkrime.’ Mesazhi është i qartë dhe alarmues. Ejani, përkuluni te baba dhe vetëm atëherë mund të flasim për zgjedhjen e presidentit”.
Sipas Gecajt, edhe nëse presidenti nuk vjen nga radhët e Vetëvendosjes, Kurti do të pranojë vetëm një figurë “të kontrollueshme, të nënshtrueshme, një president dekorativ”.
Në përfundim, Gecaj theksoi se s zgjedhjet e jashtëzakonshme janë alternativë e vetme.






