Pavarësisht sfidave ekonomike dhe politike me të cilat përballet Kosova, tregu i punës ka shënuar zhvillime të dukshme në disa sektorë specifikë, të cilët po ofrojnë paga dukshëm mbi mesataren e vendit
Në një kohë kur paga minimale po bëhet 500 euro në Kosovë, disa profesione po shndërrohen në motorë realë të punësimit dhe mirëqenies, sidomos për të rinjtë, duke tejkaluar pagen mbi 1 mijë euro.
Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (ICT)
Sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit është aktualisht më i paguari në Kosovë dhe një nga më të kërkuarit. Viteve të fundit është vërejtur një rritje e madhe e këtij sektori, veçanërisht në mesin e të rinjve kosovarë, të cilët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt profesionit të teknologjisë, edhe pse sistemi arsimor ende nuk ofron përgatitje të mjaftueshme për këtë fushë.
Ndonëse ekonomia e vendit nuk ka shënuar ndonjë ngritje serioze dhe përkundër përkrahjes së vogël institucionale, ICT-ja përbën një përjashtim të qartë nga kjo gjendje. Sektori ka arritur depërtim të shpejtë në treg falë aftësisë dhe meritës së vetë profesionistëve dhe inovatorëve kosovarë.
Sipas matjeve të fundit në mesin e punëtorëve të kompanive teknologjike në Kosovë, paga mesatare në këtë sektor arrin rreth 1.090 euro në muaj, ndërsa për pozita më të avancuara, paga shpesh shkon nga 1.500 deri në 3.000 euro, sidomos për ata që punojnë me kompani të huaja apo në distancë.
Në një debat mbi inovacionin dhe teknologjinë, Shpend Lila nga Qendra Inovative e Kosovës (ICK) ka theksuar se rritja e këtij sektori është kryesisht organike, e bazuar në meritë dhe kreativitet, e jo në mbështetje shtetërore.
Një tjetër sektor që ka njohur rritje të jashtëzakonshme në Kosovë është ai i call center-ave, veçanërisht kompanitë që operojnë për tregjet gjermane, zvicerane dhe evropiane.
Ky sektor ka krijuar mijëra vende pune dhe po ofron paga konkurruese për të rinjtë që zotërojnë gjuhë të huaja.
Në shumë kompani, paga bazë në call center-a është mbi 1.000 euro, ndërsa me bonuse dhe performancë mujore, të ardhurat arrijnë deri në 1.500–1.600 euro, duke i bërë këto vende pune ndër më të paguarat në sektorin privat pa kërkuar domosdoshmërisht arsim të lartë.
Po ashtu, investimet në energjinë e gjelbër kanë rritur kërkesën për inxhinierë elektrikë, menaxherë projektesh dhe specialistë teknikë. Pagat në këtë sektor variojnë nga 1.200 deri në 2.500 euro, në varësi të përvojës dhe përgjegjësive.
Ndërkohë edhe sektori financiar vazhdon të ofrojë stabilitet dhe paga mbi mesataren. Menaxherët financiarë, auditorët dhe analistët fitojnë nga 1.000 deri në 2.000 euro, ndërsa pozitat drejtuese edhe më shumë.
Përveç kësaj, me rritjen e projekteve infrastrukturore dhe private, ndërtimtaria mbetet sektor i fortë për paga. Inxhinierët dhe arkitektët fitojnë mesatarisht 1.000–2.200 euro.
Bashkë me këtë, edhe mjekët specialistë si në sektorin publik, e veçmas në atë privat, pastaj avokatët dhe konsulentët ligjorë arrijnë të ardhura mbi 1.500 euro, sidomos në klinika dhe zyra private.
Në një kohë kur Kosova po përballet me krizë politike dhe mungesë stabiliteti institucional, teknologjia, call center-at dhe sektorët profesionalë po dëshmojnë se mund të jenë shtylla reale të zhvillimit ekonomik./Albinfo.ch






