Një grua 65-vjeçare në Britaninë e Madhe ka luajtur klarinetë gjatë një operacioni në tru, ndërsa mjekët po kryenin një ndërhyrje për të lehtësuar simptomat e sëmundjes së Parkinsonit.
Denise Bacon, e diagnostikuar me Parkinson në vitin 2014, kishte vështirësi në lëvizje, ngurtësi muskulare dhe probleme në ecje e koordinim, që i pengonin edhe aktivitetet e përditshme si noti, vallëzimi dhe të luajturit klarinetë, shkruan Euronews.
Për të përmirësuar gjendjen e saj, ajo iu nënshtrua një procedure të quajtur stimulim i thellë i trurit (DBS) në King’s College Hospital në Londër.
Gjatë operacionit katërorësh, mjekët vendosën elektroda në pjesë të caktuara të trurit, ndërsa Bacon qëndroi zgjuar dhe luajti klarinetë për t’i ndihmuar mjekët të përcaktonin saktësisht zonat që kontrollonin lëvizjen.
Sipas profesor Keyoumars Ashkan, neurokirurgu që kreu operacionin, rezultatet u panë menjëherë në sallë. “Sapo u aktivizua stimulimi, përmirësimi ishte i menjëhershëm,” tha ai.
Pas ndërhyrjes, Bacon raportoi se kishte rifituar lëvizshmërinë e dorës së djathtë dhe ndihmohej më mirë për të luajtur instrumentin. “Tani mund të lëviz më lirshëm, të eci më mirë dhe mezi pres të kthehem në not e vallëzim,” tha ajo.
Stimuluesi që ajo mban tani në trup dërgon impulse të vazhdueshme elektrike në tru, duke ndihmuar në kontrollin e simptomave të Parkinsonit. Pajisja, e ngjashme me një stimulues zemre, ka bateri që mund të zgjasë deri në 20 vjet.