Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është takuar në New York me Zyrtarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit Brendan Hanrahan.
Takimi pason një bisedë telefonike përmbajtësore të zhvilluar më herët mes tyre, ndërsa presidentja Osmani ka ritheksuar rëndësinë jetike të aleancës strategjike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raporton IndeksOnline.
“Aleanca me SHBA-të mbetet themel i sigurisë sonë kombëtare, i stabilitetit rajonal dhe i rrugës sonë drejt integrimit euroatlantik,” është shprehur Osmani.
Tutje ajo ka theksuar përkushtimin e saj për të mbrojtur dhe forcuar më tej këtë miqësi të ndërtuar mbi besim dhe bashkëpunim të ndërsjellë.