Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Riad, ku po merr pjesë me ftesë të Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhamed bin Salman, në Forumin “Future Investment Initiative” (FII), është takuar me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev.
Osmani ka theksuar se presidenti Radev është mik i Kosovës dhe mbështetës i fuqishëm i aspiratave euroatlantike të vendit.
“Në takimin tonë në Riad, në qendër të bisedës ishin largimi i masave të padrejta ndaj Kosovës dhe avancimi i aplikimit për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, si pjesë e përpjekjeve tona të përbashkëta për të forcuar stabilitetin rajonal dhe për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet vendeve tona në kuadër të partneritetit evropian dhe euroatlantik”, ka shkruar Osmani në Facebook.







