Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës është trashëgimtare e UÇK-së.
Osmani foli nga Kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë, ku po shënohet 28-vjetori i Epopesë së UÇK-së, dhe ku u zhvillua edhe rreshtimi i kuadrateve të FSK-së.
Osmani tha se ceremonia është një akt nderimi për sakrificën që solli lirinë e Kosovës.
“Në këtë tokë të shenjtëruar nga sakrifica që u ngrit mbi gjakun e dëshmorëve dhe që mban emrin e pavdekshëm të komandantit Adem Jashari, jemi mbledhur sot për një akt nderimi që e tejkalon kohën. Në këtë manifestim madhështor për Epopesë e UÇK-së dhe Ditën e kazermës ‘Adem Jashari’, ne rikujtojmë çmimin e lirisë dhe betimin që u bë që ne sot të jetojmë të lirë dhe me dinjitet. Është përkujtim i përjetshëm i një figure që është bërë simbol i përjetësisë kombëtare, komandantit legjendar Adem Jashari dhe i gjithë familjes Jashari. Ata nuk zgjodhën rrugën e lehtë, por zgjodhën sakrificën dhe përjetësinë”, tha Osmani.
Ajo njëherësh tha se në Prekaz, Adem Jashari dhe familja e tij e shndërruan shtëpinë në kështjellë rezistence, ndërsa gjakun e tyre në vulë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Familja Jashari është altar i lirisë kombëtare dhe krenari e çdo shqiptari”, tha presidentja Osmani.






