Policia e Kosovës ka prangosur katër persona si pjesë e operacionit policor SIM në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Mitrovicë.
Të dyshuarit, në bashkëveprim me njëri-tjetrin dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë përdorur kartelat bankare e shtetasve të ndryshuar pa autorizim, duke bërë transaksione si dhe blerje të gjësendeve të ndryshme online.
Të dyshuarit përmes formave të ndryshme kanë arritur të sigurojnë të dhëna elektronike të kartelave bankare, duke përdorur pajisje dhe programe specifike kompjuterike kanë bërë edhe klonimin e kartelave bankare dhe pastaj të njëjtat i kanë përdorur për shërbime të ndryshme, kryesisht online dhe fizike.
Gjatë këtij operacioni policor në cilësi të provave materiale janë sekuestruar dy kompjuterë, rreth 10 mijë euro në valuta të ndryshme, tetë telefona mobilë, tri vetura, një motoçikletë, pajisje për klonim të kartelave bankare, kartela të zbrazëta për qëllim të klonimit, si dhe dokumente relevante që ndërlidhen me veprën penale.
Me vendim të prokurorit kompetent tre nga personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje, përderisa njëri është liruar në procedurë të rregullt.
Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.