Është mbajtur mbledhja konstituive e Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës, si institucion i pavarur për mbrojtjen dhe zhvillimin e profesionit të inxhinierit, ruajtjen e shëndetit, sigurisë publike dhe mbrojtjen e mjedisit, raporton EO.
Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm ku janë licencuar 910 inxhinierë.
Aliu ka thënë se janë munduar që të sigurojnë sa më shpejtë licencimi dhe të arrijnë të ndërtojnë një sistem të mirëfilltë siç është në gjitha vendet e botës.
Ai ka theksuar se nuk mund të ketë asnjëherë zbatim të mirëfilltë të ligjit pa pasur licenca.
“Po marrim bashkë pjesë në këtë aktivitet mjaftë të rëndësishëm për fushën e inxhinierisë në vendin tonë. Meqë sot po e themelojmë Odën e Inxhinierëve nga inxhinierëve e gjithë vendit tonë dhe sot deri më tani 675 inxhinierë të regjistruar nga 910 sosh të cilët e marrin licencën, licencohen. I bie që kemi një pjesëmarrje masive dhe gatishmëri e vullnet nga të gjithë ju që ta themelojmë dhe të vendosim një rend edhe më të mirë sesa ku që e kemi në fushën e inxhinierisë. Të gjithë kemi qenë të vetëdijshëm dhe e kemi prit me kohën dhe jemi munduar të sigurojmë sa më shpejtë licencimi dhe të arrijmë të ndërtojmë një sistem të mirëfilltë ashtu siç e kanë të gjitha vendet e botës. Kemi qenë të hendikepuar. Nuk mund të ketë asnjëherë zbatim të mirëfilltë të ligjit pa pasur licenca. Licenca është e domosdoshme pasi diplomën është ajo që ti e merr dhe do ta kesh përherë. Ndërsa, licencën është ajo që ti duhet ta bësh në vazhdimësi ta azhurnosh në mënyrë që të jesh në linjë përherë me nivelin e zbatimit të ligjeve në fushën e ndërtimeve dhe të gjithë arritjeve shkencore që bëhen”, ka thënë Aliu.
Venera Aqifi këshilltare për Qeverisje të mirë në GIZ ka thënë se themelimi i Odës së Inxhinierëve do të luaj një rol shumë të rëndësishme në zhvillimin e shërbimeve publike, duke ndikuar edhe në modernizmin e shërbimeve që do të përmirësojnë jetën e qytetareve por edhe profesionistë në fushën e inxhinierisë.
“Është një hap thelbësorë për zhvillimin e sektorit të inxhinierisë në Republikën e Kosovës. Ky është një moment shumë i rëndësishme për forcimin e strukturave të inxhinierisë në Kosovë por gjithashtu edhe për sigurimin e mbështetjes së qëndrueshme për zhvillimin e sektorit të inxhinierisë. Themelimi i Odës së Inxhinierëve si hap i parë në këtë proces po besoj që do të luaj një rol shumë të rëndësishme në zhvillimin e shërbimeve publike duke përmirësuar shërbimet publike por gjithashtu duke ndikuar edhe në modernizmin e shërbimeve që do të përmirësojnë jetën e qytetareve por edhe profesionistë në fushën e inxhinierisë. Në kuadër të projekti tonë, të financuar nga BE dhe qeveria Gjermane dhe që implentohet nga GIZ, ne kemi mbështetur MMPHI në zhvillimin e bazës ligjore, dhe ky është hapi themelor që ndikon në themelimin e Odave që po besoj do të jenë përgjegjëse dhe do ta mirëpresin edhe sistemin e licencimit të inxhiniereve që jemi në proces të prokurorimit dhe së shpejti po besoj që gjatë vitit të ardhshme edhe thirrjen e radhës për licencim ta bëjmë përmes sistemit digjital pa pasur nevojë për procedura shtesë, kohë dhe ngarkesë për profesionistët siç jeni ju. Përmes këtij projekti ne gjithashtu jemi në zhvillimi të procedurave për thjeshtësim dhe digjitalizim të më shumë se 30 shërbimeve”, ka thënë ajo.
Servet Spahiu, Udhëheqës i Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim në MMPHI ka thënë se ideja për të formuar Odën e inxhiniereve të fushës daton që nga vitit 2004, por që për shkak të pengesave të paraqitura, themelimi i kësaj Ode nuk ka qenë i mundur.
“Në janar të vitit 2022 u miratua Ligji për Odën e Inxhiniereve dhe artitikete i plotësuar pastaj edhe me aktet plotësuese nënligjore duke mundësuar juridike të krijimit të Odave. Roli i Odën së Inxhiniereve është që të mbështes dhe zhvilloj profesionin e inxhinierisë duke siguruar standarde të larta etike dhe profesionale si dhe duke kontribuar në rritjen e cilësisë dhe njohurisë në fushën e inxhinierisë. Oda e inxhiniereve do të jetë përgjegjës për licencimin e inxhinierive, promovimin e standardeve etike dhe profesionale, mbështetjen dhe edukimin profesional, mbrojtën e interesave të profesionistëve të fushës dhe publikut si dhe mundësin e bashkëpunimit dhe këshillimit profesional”, ka thënë ai.
Xhemail Metolli, Kryesues i Komisionit Ministror për Themelimin e Odes së Arkitektëve dhe Inxhinierëve në Fushën e Ndërtimit, ka thënë se me ligj themelohen dy oda, Oda e Arkitektëve dhe Oda e inxhinierëve ne fushën e ndërtimit si dy oda të pavarura të cilat ushtrojnë kompetenca të caktuara publike.
“Themelimi i Odës së Inxhinierëve të Kosovës si institucion i nevojshëm është një rast i rëndësishme në historinë e inxhinierisë dhe zhvillimit profesional në Kosovë për konsolidimin e profesionit të inxhinierëve në Kosovë duke udhëhequr koordinimin e zhvillimit të mëtejshëm të këtij sektori si dhe ngritjen e standardeve profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit mes profesionistëve. Siç e dini me ligj themelohen dy oda, Oda e Arkitektëve dhe Oda e inxhinierëve ne fushën e ndërtimit si dy oda të pavarura të cilat ushtrojnë kompetenca të caktuara publike. Një ndër to rregullohet anëtarësimi në oda, përcaktohet selia, statusi i tyre, roli dhe fushe veprimtaria e odave, profesionet, licencat, përgjegjësinë disiplinore dhe edukimin e vazhdueshëm të inxhinierëve në fushën e ndërtimit. Është i rëndësishëm krijimi i mundësie për inxhinierët e rinj që të zhvillohen profesionalisht përmes trajnimeve, për edukim të vazhdueshëm dhe pjesëmarrje në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare”, ka thënë Metolli.