Shumica e shkollave fillore e të mesme të Prishtinës nuk duan të kthehet furnizimi me kifle e qumësht, të cilin e morën deri para tre vjetëve, si shujtë nga ana e Komunës.
“Gjithmonë kemi humbur ushqim. Ka ndodh që 4-5 ditë nuk është larguar kiflja prej çantës”, tha drejtori i shkollës “Dardani”, Isak Bregaj.
Por, drejtori i shkollës Dardania, Isak Bregaj, do ta mirëpriste që nga komuna të ofrohet një shujtë e nxehtë, megjithatë e konsideron sërish si një shpenzim të kotë.
“Më mirë është ato mjete të shkojnë për investime dhe për mësimdhënës. Këtu e kemi bufenë gjithashtu, prindërit iu japin ushqimin nga shtëpia dhe nxënësit e hanë ushqimin nëpër klasa”, tha Bregaj.
Një zgjidhje tjetër e ka edhe shkolla “Emin Duraku”. Ushqimi për nxënësit përgatitet në kuzhinën të cilën e kanë brenda shkollës.
Ndërkohë, edhe Këshilli i Prindërve thotë se nuk ka kërkesa që të kthehen shujtat e mëparshme.
“Për ta bërë funksional projektin e shujtave duhet goxha angazhim dhe investime, si në kuzhinat qendrore ashtu edhe nëpër shkolla. Sugjeroj që ky projekt ose të bëhet mirë, ose të mos iniciohet vetëm sa për të thënë që po jepen shujtat (siç ishte bërë nga Kryetari paraprak i Prishtinës)”, tha Jeton Demi nga këshilli i prindërve.
Ndërkaq, në rast se fillohet me dërgimin e shujtave për nxënësit në shkollat e komunës së Prishtinës, ndërmarrja publike ”Kuzhina Qendrore” thotë se ka kapacitete.
“Kemi edhe kapacitete edhe pajisjet, mirëpo duhet një riorganizim i punës dhe gjitha këto jemi duke i biseduar me komunën e Prishtinës, nëse fillon dërgimi i shujtave. Nuk kemi diçka konkrete, meqë është një barrë e madhe financiare, sepse të gjitha këto i paguan komuna”, tha Asdren Osaj, kryeshef i kuzhinës qendrore.
Kuzhina qendrore aktualisht furnizon gjithsej 16 çerdhe, prej të cilave 8 janë publike dhe 8 me bazë në komunitet. Komuna e Prishtinës për 1 fëmijë për 3 shujta brenda ditës paguan 2 euro. /atvlive.tv