Zjarret në Hawai kanë marrë jetën e 53 personave deri më tani, ndërsa përpjekjet e ekipeve të kërkim-shpëtimit vazhdojnë për të pagjeturit.
Gjithsej janë gjashtë zjarre në Big Island dhe Maui, ku ka ndodhur pjesa më e madhe e shkatërrimit që nga shpërthimi i zjarreve të martën.
Gati 1700 shtëpi dhe ndërtesa janë shkatërruar dhe mijëra banorë dhe turistë janë evakuuar nga zonat e rrezikshme, shkruan AA, transmeton KosovaPress.
“Jill dhe unë shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet e atyre që humbën më të dashurit në zjarret në Maui dhe lutjet tona janë me ata që kanë parë shtëpitë, bizneset dhe komunitetet e tyre të shkatërruara,” tha Presidenti Joe Biden në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.
Biden ka miratuar një deklaratë fatkeqësie për të ndihmuar në përgjigjen emergjente dhe përpjekjet për rimëkëmbje.
Rojet Bregdetare të SHBA-së kanë shpëtuar më shumë se dhjetëra njerëz që u hodhën në oqean për t’i shpëtuar zjarreve, dhe Garda Kombëtare e Hawait u thirr në veprim për të ndihmuar zjarrfikësit dhe personelin tjetër të urgjencës.
“Ne u jemi mirënjohës zjarrfikësve të guximshëm dhe reaguesve të parë që vazhdojnë të vrapojnë drejt rrezikut, duke e vënë veten në rrezik për të shpëtuar jetë”, tha Biden. “Kam urdhëruar të gjitha asetet federale të jenë në dispozicion në ishuj për të ndihmuar gjatë reagimit”.
Erërat e fuqishme 60 milje në orë (96 kilometra në orë) nga Uragani Dora në Oqeanin Paqësor kanë ndezur flakët e zjarreve shkatërruese.
Guvernatori i Hawait, Josh Green, tha më herët të enjten se ai priste që numri i të vdekurve të rritet “dukshëm” nga numri 36 sa ishte më parë, ndërsa reaguesit e parë shkojnë nëpër shtëpitë dhe ndërtesat që u dogjën deri në themel.
“Ne nuk kemi pasur një rast të humbjes së jetëve si kjo për shumë vite,” tha Green në një intervistë për CNN.
“Ndërsa hyjmë në qindra shtëpi që u pushtuan nga zjarri…ne kemi shqetësim të madh se do të gjejmë mbetjet e njerëzve që nuk mundën të shpëtonin”.
Dy mijë udhëtarë u bllokuan në Aeroportin Ndërkombëtar Maui për shkak të anulimeve të fluturimeve. Zyrtarët thanë se 4,000 vizitorë dhe banorë të tjerë po strehoheshin në Qendrën e Konventës në Hawai në Honolulu. Autoritetet u kërkojnë turistëve dhe banorëve që të qëndrojnë larg zonave të rrezikshme
“Ne u bëjmë thirrje banorëve që të marrin parasysh paralajmërimet e sigurisë nga zyrtarët dhe t’u përmbahen urdhrave të evakuimit dhe udhëzimeve të sigurisë të lëshuara nga autoritetet lokale,” tha Roja Bregdetare në një deklaratë.