Përgatiti: Benita Zeneli
Gjatë 24 orëve të fundit, 10 raste të reja të dhunës në familje u raportuan në Polici. Tri raste janë raportuar në Prishtinë, dy në Malishevë, e nga një në Gjakovë, Fushë-Kosovë, Pejë, Shtërpcë e Zveçan.
Dhuna në familje ishte temë diskutimi edhe në Komisionin për të drejtat e njeriut dhe barazi gjinore, me ç’rast u konstatua se po promovohet në Kosovë nëpërmes një spektakli televiziv.
Andaj Komisioni i Pavarur për Media ka pranuar ankesa për vendosjen në hapësirë të njëjtë të një ish-çifti bashkëshortor, për të cilin rast burri ishte denoncuar për dhunë në familje e ndaj të cilit deri në shtator pati urdhër mbrojtës.
“Kemi pranuar 7 kërkesa. Katër prej tyre detyrimi i viktimës për të ndarë hapësirën me dhunuesin, 1 për keqpërdorimin e inteligjencës artificiale, 1 për komentet e analistit dhe 1 që nuk është emision edukativ”, tha kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti.
Derisa ankesat ende nuk janë trajtuar nga KPM-ja, anëtarët e komisionit kërkuan llogari.
“Pse nuk keni reaguar, ju jeni palë përgjegjëse, kur keni pasur baza për reagim”, tha Duda Balje, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut.
Megjithatë, rregullat për një emision nuk i vendos KPM-ja e as masa penale.
“Është një kohë shumë e shkurtër dhe ne duhet të ulemi dhe të analizojmë rastin. Nuk do të thotë që nuk do të gjejmë një mundësi të tillë”, tha Luljeta Aliu, anëtare në KPM.
Nën kritika që dhuna në familje po normalizohet reagoi edhe Ministria e Drejtësisë. Sipas Grupit Ndërministror për mbrojtjen dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, ky rast ka për qëllim minimizimin e një fenomeni të rrezikshëm, respektivisht të dhunës në familje, me të cilin po përballet shoqëria.
Megjithatë pas presionit publik dhe angazhimit të organizatave të shumta i akuzuari për dhune ne familje u largua nga spektakli.