Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, ka njoftuar se ka filluar auditimin e performancës me temën “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Ferizajt”, i cili përfshin periudhën 2021–2025.
Sipas njoftimit, auditimi synon të vlerësojë efikasitetin dhe efektivitetin e procesit të dhënies së lejeve për ndërtime të larta, duke filluar nga paraqitja e kërkesës për leje ndërtimore e deri në lëshimin e certifikatës së përdorimit.
Po ashtu, përmes këtij procesi do të vlerësohet nëse mekanizmat ekzistues institucionalë sigurojnë transparencë, llogaridhënie dhe mbrojtje të interesit publik gjatë zhvillimit të projekteve ndërtimore.
ZKA thekson se ky auditim është vazhdimësi e auditimeve të ngjashme të realizuara më herët në Komunën e Prishtinës dhe Komunën e Fushë Kosovës, komuna këto që karakterizohen me zhvillim të hovshëm të ndërtimeve të larta.






