Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka bërë të ditur se ka nisur auditimin e performancës me temë “Efektiviteti i shërbimit të ngrohjes qendrore”, në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026.
Sipas njoftimit zyrtar, auditimi do të përfshijë periudhën 2023–2025 dhe synon të vlerësojë mënyrën se si Ndërmarrja Publike “Termokos” Sh.A. menaxhon rrjetin e shpërndarjes së energjisë termike. Fokus i veçantë do t’i kushtohet furnizimit të barabartë, matjes së saktë të konsumit dhe sigurimit të një ngrohjeje të qëndrueshme për konsumatorët.
ZKA thekson se përmes këtij auditimi do të identifikohen edhe mangësitë që ndikojnë në cilësinë, besueshmërinë dhe koston e shërbimit publik të ngrohjes qendrore.
Në komunikatë bëhet e ditur se sistemi i ngrohjes qendrore në Prishtinë mbulon mbi 2.1 milionë metra katrorë hapësira banimi, komerciale dhe institucionale. Megjithatë, sipas shqetësimeve të ngritura nga mediat dhe qytetarët, pavarësisht investimeve të bëra ndër vite, sistemi vazhdon të përballet me humbje të larta në rrjet dhe furnizim të pabarabartë të ngrohjes.
Sipas ZKA-së, këto probleme janë shoqëruar me ankesa të shumta nga konsumatorët dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë dhe besueshmërinë e shërbimit publik të ngrohjes qendrore në kryeqytet.






