Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se nga dita e enjte do të ketë ndryshim të theksuar të kushteve meteroligjike, ulje të temperaturave, reshje bore dhe rrezik nga ngricat.
IHK-ja ka njoftuar gjithashtu se temperaturat minimale do të shënojnë ulje të theksuar, duke zbritur nën vlerat zero gradë celsius, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton gjithashtu se gjatë orëve të para të ditës së enjte, reshjet ekzistuese të shiut pritet të kalojnë gradualisht në reshje bore.
“Pas reshjeve të dendura të shiut që gjatë tri ditëve të fundit kanë përfshirë kryesisht territorin e Rrafshit të Dukagjinit dhe në intensitet disi më të ulët edhe Rrafshin e Kosovës, gjatë natës së sontme pritet një ndryshim gradual i kushteve meteorologjike në vend. Sipas analizave sinoptike dhe vëzhgimeve aktuale meteorologjike, presioni atmosferik do të vazhdojë trendin e rënies, duke sinjalizuar afrimin dhe kalimin e një sistemi frontal aktiv mbi rajonin tonë”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se kjo do të krijojë kushte të favorshme për formimin e ngricave në sipërfaqet rrugore, trotuare, ura dhe zona të ekspozuara ndaj lagështisë së lartë. Ngricat, të kombinuara me shtresat e borës dhe erërat e ftohta, pritet të ndikojnë negativisht në sigurinë e qarkullimit rrugor.






