Përgatiti: Benita Zeneli
Asgjë, nuk i ndali që të ushtrojnë sportin e preferuar. Andaj shumë nga sportistët paralimpik kosovarë u bënë pjesë e Lojërave Paralimpike të cilat po mbahen në Vushtrri.
“Përmes sportit parasportistët na tregojnë se fuqia e vërtetë qëndron në besimin te vetja dhe mbështetjen e ndërsjellë. Përtej dimensionit garues, sot është një mundësi për diskutuar dhe nxitur edhe më shumë përfshirjen dhe edukimin fizik për të gjithë”, tha presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini.
Përkrahjen për ta, e shprehu edhe Drejtori i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Kastriot Jashari derisa tha se kjo kategori sportistësh duhet të jetë e barabartë në secilën fushë.
“Institucioni ynë për dy dekada vazhdon të mbështesë bashkë me partnerët tjerë vendorë e ndërkombëtar këtë aktivitet që është tepër rëndësi në kuptimin e faktit që ne duhet të bashkë ndjejmë me këto kategori. Ne e kemi obligim institucional, shoqëror por edhe familjar që të qëndrojmë çdo ditë dhe në vazhdimësie të gjithë ju si kategori”, tha Jashari.
Me këtë rast u nënshkrua edhe marrëveshja ndërmjet Komitetit Paralimpik dhe KFOR-it, për pranimin karrocave për paraatletikë.
“Shembulli juaj na inkurajon të lëmë mënjanë dallimet dhe të fokusohemi në aftësitë tona, dhe kështu t’i vëmë në dispozicion aftësitë tona të tjerëve, duke nxitur një ekip drejt një qëllimi të përbashkët”, tha komandanti i KFOR-it në Kosovë, Enrico Barduani.
Lojërat Paralimpike do të mbahen edhe të dielën.