Përgatiti: Kastriot Tahiri
Për mosrealizimin e premtimit për ndërtimin e 160 çerdheve, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, pati akuzuar komunat për mosbashkëpunim.
Por në projektbuxhetin për vitin 2025, MASHTI i la pa mjete financiare për çerdhe, tetë komuna, ndonëse këtë e mohon ministrja.
“Pse s’është nda buxhet për disa komuna? Është nda buxhet i mjaftueshëm, për çerdhe. Nuk ka komunë me 0 buxhet për çerdhe. -Komuna e Vushtrrisë, Prishtinës nuk ka asnjë çerdhe të planifikume, deri në 2026? +Ka buxhet të mjaftueshëm për ndërtimin e të gjitha çerdheve”, tha ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Por sipas planeve, Prishtina, Vushtrria, Mamusha, Prizreni, Podujeva, Gjakova, Peja e Ferizaj, nuk do të kenë asnjë çerdhe të ndërtuar nga niveli qendror gjatë vitit të ardhshëm.
“Në projekt-buxhet, MASHTI nuk ka pa asnjë investim kapital, pavarësisht kërkesave, edhe për një shkollë në Manatirc nuk ka kaluar. Është e projektume me pas një çerdhe modul, e kërkesa jonë është jo vetëm me u ndërtu por mundësimi i edukatoreve të reja”, tha Selim Marevci, zyrtar për Informim në Komunën e Ferizajt.
Ndonëse në të njëjtën situatë ndodhet edhe kryeqytetit, sipas kryetarit Përparim Rama, investimet kjo komunë do t’i bëjë vetë.
“Ne si kryeqytet i kemi planifikimet tona, nuk varemi prej Ministrisë së Edukimit dhe kemi kriju mundësi të tjera shtesë. Nëse ka nevojë për çerdhe ne do ta bëjmë çerdhen nëse ka nevojë për shkollë do ta bëjmë shkollën, në ndërlidhshmëri me qytetarët”, tha Rama.
10 milionë euro në total i ka ndarë Ministria e Arsimit për ndërtimin e çerdheve vitin e ardhshëm.