Rishikimi i buxhetit dhe rritja e pagave në sektorin publik, do të jetë tema e diskutimit në seancën e ardhshme të Kuvendit. Në këtë seancë para deputetëve do të duhej të përgjigjet ministri i Financave, Hekuran Murati.
Kështu u vendos në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, që përveç pyetjeve parlamentare e deklarimeve jashtë rendit të ditës, të ketë edhe interpelancë me ministrin.
“Është paraparë t’i lihet kohë më shumë interpelancës me Ministrin Murati e pikave të tjera ku janë marrëveshjet ndërkombëtare e projektligjet është dakorduar që të lihen për një ditë tjetër”, tha shefja e GP të LV-së, Mimoza Kusari – Lila.
Kërkesa për interpelancë erdhi nga grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila kërkon rritjen e vlerës së koeficientit.
“E para lidhet me bllokimin total që Qeveria u ka bërë investimeve kapitale. E më pas edhe rritja e koeficientit të pagave në 129 euro”, tha Besnik Tahiri nga AAK.
Seanca e radhës do të mbahet të enjten e 22 qershorit nga ora 10:00. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: