​Naftëtarët dhe ndërtimtaria nën llupën e MINT-it, Hajdari flet për eksportet dhe investimet e huaja

Nën llupën e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë janë naftëtarët, prodhuesit e produkteve të ndërtimit dhe disa sektorë të tjerë në vend.

Rozeta Hajdari, ministre e MINT-it, thotë se një nga detyrat kryesore të kësaj ministrie është mbrojtja e konsumatorëve nga abuzimet me çmimet dhe cilësinë e produkteve, duke siguruar një mbikëqyrje strikte, si dhe duke ndërmarrë masa për të parandaluar manipulimin e çmimeve që mund të shkaktojnë dëm për qytetarët.

Në një intervistë për KosovaPress, Rozeta Hajdari flet edhe për raportet tregtare në vendin tonë, si dhe për investimet e huaja direkte gjatë vitit 2024.

Ajo madje thotë se ka përmirësim të bilancit tregtar eksport-import.

“Kemi dyfshim të eksportit dhe përmirësim të bilancit tregtar nga raporti eksport-import nga një me nëntë – një me gjashtë. Kemi dyfishim të investimeve të huaja direkte gjatë këtij mandati”, thotë Hajdari.

Sa i përket monitorimit të tregut, ministrja Hajdari thotë se ndërhyrjet më të mëdha kanë qenë në tregun e naftës, për çka shton se afër 50 për qind e operatoreve ekonomik kanë qenë të palicencuar në tregun e naftës.

“Për herë të parë në Republikën e Kosovës kemi filluar me mbikëqyrjen efektive të produkteve të ndërtimit me qëllim që të sigurojmë cilësinë e ndërtimeve të larta banesore, rregullimin, mbikëqyrjen e tregut, të produkteve të naftës, formalizmin e bizneseve në fushën e tregtisë në naftë, rritjen e kontrollimit të cilësisë së naftës dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga abuzimet me çmimet me inflacion. Janë afër 12 mijë inspektime gjatë mandatit tonë qeverisës nga periudha mars 2021 – shtator 2024 në krahasim me periudhën paraprake që ishte në vitin 2017-2020. Kryesisht ndërhyrjet më të larta kanë qenë në tregun e naftës, ku kemi gjetur shumë operator ekonomik të pa licensuar, afër 50 për qind të operatoreve ekonomik kanë qenë të palicensuar në tregun e naftës”, shton Hajdari.

Derisa përmend sektorët për të ndaluar keqpërdorimet në treg, ajo thotë se me politiken e re për investime synojnë që të sjellin një inkurajim të prodhueseve serioz.

“Kemi ndaluar keqpërdorimet në sektorin e naftës, duhanit, pastaj trupat vlerësues të komfirmitetit që kanë qenë të jashtëligjshëm, tenderët e jashtëligjshëm, skemat e granteve të jashtëligjshme. Menjëherë filluam në plotësimin e zbrazëtirave, përmirësimin e ambientit për të bërit biznes të drejtë, të adaptueshëm dhe konkurrues, duke hartuar dhe miratuar në Qeveri dhe Kuvend 22 ligje që janë për mbrojtjen e investimeve për reformë në parqet industriale teknologjike…Me politikën e re për investime ne po synojmë që të sjellim një inkurajim të prodhueseve vendor, të qytetarëve që kanë kursime për të investuar në industrinë prodhuese, përpunuese, por edhe në sektorë tjerë strategjikë”, nënvizon Hajdari.

Ministrja Hajdari thotë se do t’i zgjerojë skemat mbështetëse për bizneset gjatë vitit 2025.

Derisa tregon për masat mbështetëse për bizneset, thotë se vetëm skema e granteve për këtë vit përfshin rreth 8 milionë euro.

“Sa i përket masave mbështetëse për bizneset tona për vitin 2025, ne synim kemi që të zgjerojmë skemat mbështetëse…Presim me këto masat e reja që janë të planifikuara të përkrahim sa më shumë bizneset në zgjerim të kapaciteteve prodhuese, në lehtësim të eksportit qoftë edhe përmes masave, granteve, por edhe përmes marrëveshjeve të tregtisë. Pastaj, përmes lidhjes sa më shumë të ofrueseve të shërbimeve me prodhuesit vendor që të rrisin dhe përmirësojnë inovacionin në produktin me vlerë të lartë të shtuar për tregun vendor dhe ndërkombëtar, por edhe në lehtësimin e tregtisë…Vetëm skema e granteve për vitin 2025 përfshin rreth 8 milionë euro nga Agjencia KIESA, por janë edhe masat tjera qeveritare”, deklaron Hajdari.

Përgjatë vitit 2024, KIESA ka mbështetur rreth 500 biznese në vlerë prej 7.3 milionë euro./kp

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA