Pas një periudhe të gjatë larg skenës aktive muzikore, Bashkim Myftari rikthehet me një projekt të veçantë dokumentar që premton të sjellë atmosferën reale të muzikës alternative dhe jetës urbane në Kosovë.
Bëhet fjalë për dokumentarin “Urban Underground Unplugged”, produksion i The Life Of Sound, i cili do të lansohet premierë gjatë muajit qershor.
I realizuar në stil reality show, dokumentari ndjek nga afër artistët urbanë, performancat live dhe momentet spontane të skenës underground, duke sjellë një energji autentike që rrallë shihet në produksionet muzikore moderne.
Në fokus është rikthimi artistik i ish-liderit të Garazhat e Bardha, i cili në këtë projekt prezanton këngë të reja origjinale dhe interpretime unplugged në lokacione urbane.
Një element interesant i dokumentarit janë përpunimet e këngëve të vjetra shqipe, të transformuara në stil urban rock, me tingull modern dhe interpretim alternativ, por duke ruajtur emocionin dhe tregimin origjinal shqiptar.
Mes projekteve më interesante është edhe interpretimi i poezisë “Anës Lumenjve” të Fan Noli, e sjellë në një version krejtësisht ndryshe muzikor dhe të përshtatur me frymën e kohës së sotme.
Në dokumentar do të prezantohen edhe këngët:
“Ëndërrime”
“Atdhe e Mëmëdhe”
“E ti tani buzëqeshe”
Kjo e fundit konsiderohet si kënga nga e cila lindi e gjithë ideja e projektit “Urban Underground Unplugged”.
Pjesë e dokumentarit janë edhe artistë të tjerë të skenës alternative, përfshirë Anton Krasniqi, si dhe Harmonious, kori i vajzave që po përgatitet për një performancë të mundshme live më 4 korrik në aktivitetet e Ambasadës Amerikane.
Produksioni thekson se dokumentari është realizuar pa përdorim të inteligjencës artificiale dhe pa ndërhyrje të tepruara audio në performancat live.
“Shpirti i muzikës live është autenticiteti”, thuhet në konceptin e projektit, i cili synon të rikthejë emocionin real të performancës së drejtpërdrejtë dhe lidhjen e pastër mes artistit dhe publikut.





