88 vite histori, Muzeu Arkeologjik i Vlorës, ndër institucionet e para të trashëgimisë shqiptare
Më 8 tetor 1936, në qytetin bregdetar të Vlorës u çel Muzeu Arkeologjik, institucioni i parë shqiptar i këtij lloji, që në atë kohë u pagëzua me emrin “Zogu I”, në nder të monarkut të vendit.
Godina e muzeut mbante në vetvete një simbolikë të veçantë, pasi më herët kishte shërbyer si seli e qeverisë së përkohshme të Vlorës, aty ku Ismail Qemali mblodhi kabinetin e tij qeveritar menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë më 1912.
Muzeu u krijua falë bashkëpunimit me misionin arkeologjik francez, të udhëhequr nga arkeologu Leon Rey, i cili zhvilloi gërmime në Apoloni. Eksponatet e para që pasuruan sallat e muzeut ishin pikërisht statujat, kolonat, enët e qeramikës dhe monedhat e zbuluara në këtë qytet antik.
Në katin e parë u ekspozuan veprat monumentale të zbuluara në Apoloni, ndërsa kati i sipërm u dedikua objekteve të vogla arkeologjike, si terrakota, figura e qeramika të rralla.
Por lavdia e tij zgjati pak. Me nisjen e Luftës së Dytë Botërore, ndërtesa u bombardua nga ushtria italiane dhe më pas u plaçkit, duke humbur shumë prej artefakteve me vlerë të jashtëzakonshme historike.
Arkeologu Leon Rey reagoi ashpër ndaj kësaj ngjarjeje, duke botuar një notë proteste në revistën e tij “Albania”.
Sot, pjesë të koleksionit të shpëtuar gjenden në Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Arkeologjik të Tiranës, Muzeun Historik të Vlorës dhe në Muzeun e Parkut Arkeologjik të Apolonisë dëshmi të gjalla të një epoke që shënoi fillesat e arkeologjisë shqiptare.