Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besin Mustafa, në një konferencë për media, tha se sipas të dhënave nga vëzhguesit në terren dhe exit poll-i i partisë, LDK ka dyfishuar rezultatin krahasuar me zgjedhjet e kaluara, raporton ATV.
Ai tha se ky është exit poll-i më i madh i realizuar ndonjëherë në Kosovë dhe rezultatet tregojnë një rritje të ndjeshme të LDK-së.
“Exit poll-i ynë, i bazuar në 18 mijë respondentë, tregon se Vetëvendosje ka 34 për qind, LDK ka 24 për qind, ndërsa PDK 22 për qind. Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se LDK ka së paku dyfishim të votave nga zgjedhjet e kaluara, pa llogaritur ende votat e diasporës,” tha Mustafa.
Sipas tij, votat e diasporës pritet të përmirësojnë edhe më shumë rezultatin e LDK-së, duke e rritur atë me dy deri në tri pikë përqindjeje.
“Presim një rezultat të shkëlqyeshëm nga diaspora, i cili mund ta rrisë përkrahjen për LDK-në me të paktën dy deri në tri për qind,” shtoi Mustafa. /atvlive.tv
Deklaratën e plotë të Besin Mustafës në konferencën për media, e gjeni në videon më poshtë:






