Profesori Valon Murtezaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ideja për të ndaluar votën e qytetarëve që nuk kanë jetuar në Kosovë për 12 muaj është e padrejtë dhe e pajustifikueshme.
Sipas tij, çdo shtetas i Kosovës duhet të ketë të drejtën e votës, pavarësisht vendbanimit, pasi kjo është një praktikë e njohur në vendet demokratike.
“Do të ishte humbje kohe të thuhet që nuk duhet të votojë dikush që nuk jeton dymbëdhjetë muaj në Kosovë. Kjo mund të vlejë për marrjen e shërbimeve të tjera, por e drejta për të votuar, sidomos në zgjedhjet parlamentare, është e garantuar në të gjitha vendet evropiane”, tha Murtezaj.
Ai tha se shteti duhet të krijojë modalitete për të lehtësuar pjesëmarrjen në zgjedhje të të gjithë qytetarëve, përfshirë ata në diasporë.
“Ne duhet të jemi totalisht liberalë në aspektin e asaj se kush ka të drejtë të votojë. Kjo nuk duhet as të diskutohet as të kontestohet. Secili shtetas ka të drejtë që të votojë, dhe modalitetet varen nga kapacitetet qeverisëse, fondet dhe mënyrat se si u mundësohet qytetarëve të shprehin vullnetin e tyre politik”, u shpreh Murtezaj.
Deklaratën e plotë të Valon Murtezajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: