Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, në emisionin COMPAS në ATV, tha se shqiptarët janë më afër se kurrë njëri-tjetrit, falë zhvillimeve historike dhe rrethanave të reja në Ballkan, por shtoi se, nevojitet më shumë angazhim politik për të thelluar këtë afërsi.
“Kështu në kontekstin real, shqiptarët janë më afër se kurrë ndonjëherë me njëri-tjetrin, së paku po flasim për këtë periudhën e shekullit të kaluar dhe shekullit të ardhshëm. Prej çlirimit të Kosovës, pavarësisë së Kosovës, rrethanave të reja që janë krijuar në Ballkan, shqiptarët janë më afër se kurrë ndonjëherë”, tha Murati.
Ai pwrmendi rëndësinë e politikave të përbashkëta ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës për të shndërruar këtë afërsi në një bashkim më të thellë dhe të qëndrueshëm.
“Duhet bërë shumë punë për të pasur politika më të konsoliduara, sidomos mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, në mënyrë që këtë bashkim real të njerëzve ta shndërrojnë në një politikë që ka për ta thelluar edhe më tepër afrimin, bashkëpunimin, bashkimin”, tha Murati.