Në mungesë të të akuzuarit, Abdullah Selmani, të hënën ka dështuar të mbahet seanca, në rastin ku i njëjti po akuzohet për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Lidhur me mungesën e të akuzuarit Selmani, kryetarja e trupit gjykues, Ajsere Skenderi, bëri të ditur se i njëjti ka lajmëruar gjykatën se për arsye familjare nuk mund të jetë i pranishëm në seancën e sotme, raporton “Betimi për Drejtësi”.
E në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme u shty për një datë tjetër.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Abdullah Selmani, akuzohet se më 7 nëntor 2021, në cilësinë e personit zyrtar – referent pranë Zyrës Kadastrale të Drejtorisë për Urbanizëm në Komunën Dragashit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose të shkelë të drejtat e këtij të fundit.
Në aktakuzë thuhet se, ai ka regjistruar ngastrat kadastrale: P-457, P-1478 dhe P-2138 të Zonës Kadastrale të fshatit Brezne – Komuna e Dragashit – me pronar ekzistues D.B., pa bazë juridike dhe procedurë të rregullt ligjore në emrin e qytetarit H.B.
Tutje, në aktakuzë thuhet se, duke ia lëshuar të njëjtit certifikatën e pronësisë më 7 nëntor 2021, e cila certifikatë është në kundërshtim të plotë me certifikatën e pronësisë së datës 14 gusht 2018, lëshuar nga po i njëjti autoritet, qytetarit-të dëmtuarit D.B, për të vazhduar më pas, në çështjen juridiko-civile pranë Gjykatës Themelore në Prizren – Dega në Dragash, në mes të palëve D.B. dhe H.B., për çështjen kontestimore në fjalë.
Në aktakuzë thuhet se më 2 nëntor 2021 jashtë çdo autorizimi lidhur me detyrën e tij zyrtare i akuzuari Selmani përpiloi shpjegimin me shkrim për Gjykatën, të cilën e ka nënshkruar dhe e ka vulosur me vulën zyrtare të autoritetit kadastral, pa e protokolluar fare ku të njëjtën, ia dërgon Gjykatës, në të cilin shpjegim ka paraqitur sqarimet – arsyet e tij se përse i ka regjistruar ngastrat e lartpërmendura kadastrale nga pronari ekzistues D.B. në personin tjetër H.B.
Sipas aktakuzës, për shkak të këtyre veprimeve, të dëmtuarit D.B i ka shkaktuar dëm në vlerën e ngastrave kadastrale prej 200 e 50 mijë euro.
Më këto, i akuzuari po ngarkohet me veprën penale, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë” nga nenin 414, par.2 lidhur me par.1 dhe nenin 77, par.1, nën par.1.1, 1.2, 1,4 dhe 1.4 të Kodit Penal.