Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur seanca në rastin e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Ajo akuzohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike, në formularin për deklarim të pasurisë, më 22 mars 2021, nuk i ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj.
“Në atë mënyrë që në formular nuk ka deklaruar asnjë të hyrë të bashkëshortit të saj, edhe pse atë e ka deklaruar si bashkëshort, nuk e ka deklaruar një parcelë në komunën e Deçanit, dhe një biznes në Gjermani”, thuhet ndër të tjera në aktakuzë.
Në mars të këtij viti, në shqyrtimin fillestar, ministrja Gërvalla kishte mohuar fajësinë lidhur me akuzat.
Gërvalla, edhe gjatë kësaj seance, është deklaruar e pafajshme, ndërsa shqyrtimi ka vazhduar me fjalët hyrëse.
Prokurori Paul Pashku tha se gjatë këtij procesi do të paraqiten provat e grumbulluara gjatë hetimeve, si: deklaratën e Gërvallës në prokurori e formularët për deklarimin e pasurisë, certifikatën e pronësisë të sigurisë nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, e të tjera.
Ndërkohë, mbrojtja ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë së Prishtinës, duke thënë se aktakuza ka gabime.
“Prokurori i shtetit e pranoi se është përvjedhur një gabim, por ky nuk është assesi gabimi i vetëm i aktakuzës. I tërë narracioni i aktakuzës është kontradiktor”, ka thënë avokati Granit Vokshi.