Një video e publikuar në TikTok, ku një nënë e re nuk lejonte nënën e saj ta puthte foshnjën e porsalindur, ka shkaktuar debat të madh në rrjete sociale.
Sipas Huffington Post , pamjet kanë nxitur një diskutim të rëndësishëm lidhur me shëndetin e foshnjave, duke bërë që mjekë dhe ekspertë të sëmundjeve infektive pediatrike të reagojnë publikisht.
Nëna e foshnjës, Haeli Christiansen, ka treguar për revistën People se videoja ishte realizuar “me shaka” dhe se nuk e kishte menduar se do të bëhej virale. Në video, ajo e ndalon lehtë nënën e saj kur tenton ta puthë foshnjën, ndërsa mbishkrimi thotë: “Duke ia kujtuar me butësi mamit tim të mos e puthë foshnjën time”.
“Fjala e ditës është ‘kufijtë’”, ka shkruar Christiansen në përshkrim.
Ajo ka sqaruar se vendimi për të mos lejuar puthjet nga familjarët apo miqtë është marrë për arsye shëndetësore.
“Burri im dhe unë vendosëm që për muajt e parë askush të mos e puthë foshnjën tonë, sepse lindi në mes të ‘sezonit të sëmundjeve’ dhe foshnjat nuk kanë sistem imunitar të zhvilluar. Një ftohje e zakonshme për një të rritur mund ta çojë një të porsalindur në spital dhe të jetë kërcënuese për jetën”, ka thënë ajo.
Christiansen ka shtuar se si foshnjë ishte shtruar dy herë në spital, pasi familjarët e kishin puthur pa e ditur se ishin të sëmurë.
Videoja ka grumbulluar mbi 730 mijë pëlqime dhe mijëra komente, duke ndarë opinionin publik. Disa përdorues e mbështetën vendimin e saj, ndërsa të tjerë e kritikuan.
“E gjora gjyshe”, ka shkruar një komentues, ndërsa një tjetër ka thënë: “Unë kurrë s’do t’ia ndaloja nënës time këtë”.
Mjekët theksojnë se rreziku është real. Doktoresha Taylor Heald-Sargent, profesoreshë e sëmundjeve infektive pediatrike, ka paralajmëruar se sistemi imunitar i foshnjave është shumë i papjekur.
“Ajo që për një të rritur është infeksion i lehtë, për një foshnjë mund të përfundojë në mbikëqyrje intensive”, ka thënë ajo.
Ajo ka përmendur viruse si RSV, kollën e mirë dhe herpesin, i cili transmetohet përmes kontaktit të afërt, përfshirë puthjet.
“Ju mund ta përhapni virusin edhe para se ta kuptoni që jeni sëmurë”, ka paralajmëruar Heald-Sargent.
Edhe doktoresha Amy Edwards ka theksuar se disa viruse te foshnjat mund të shkaktojnë pasoja shumë serioze.
“Për të rriturit, ethet janë bezdisëse. Për foshnjat, herpes virusi mund të shkaktojë sepsë ose meningjit fatal në rreth 20 për qind të rasteve”, ka thënë ajo.
Ekspertët rekomandojnë disa masa bazë për mbrojtjen e foshnjave:
– larjen e duarve para se të prekni foshnjën,
– pyetjen e prindërve para çdo puthjeje,
– shmangien e vizitave nëse ndiheni keq dhe respektimin e kufijve të prindërve.
Doktoresha Krupa Playforth ka theksuar se foshnjat janë më të rrezikuara në dy-tre muajt e parë të jetës.
“Ato nuk kanë nevojë të puthen për ta ditur se janë të dashura”, ka thënë ajo.
Sa i përket komunikimit me familjarët, mjekët këshillojnë që kufijtë të shpjegohen paraprakisht dhe të theksohet se qëllimi kryesor është siguria e foshnjës.
“Kufijtë prindërorë kanë të bëjnë me sigurinë. Është prindërim i përgjegjshëm, jo mungesë respekti”, ka përfunduar Playforth.






