Përgatiti: Nora Luta
Kundërvajtje e jo vepër penale në rastin e mosdeklarimit të pasurisë nga ministrja Donika Gërvalla, ka konstatuar Gjykata e Prishtinës këtë të martë.
Shkalla e parë e liroi shefen e diplomacisë kosovare nga akuza për deklarim të rremë të pasurisë.
Pasi tha se është vërtetuar se deklarimi i pasurisë ka qenë i pasaktë, gjyqtari renditi arsyet.
Gërvalla, sipas Prokurorisë së Prishtinës, nuk e deklaroi pasurinë e bashkëshortit, një parcelë në Dubovik të Deçanit dhe një kompani të regjistruar në Gjermani.
Gjatë fazës së mbrojtjes, Gërvalla u arsyetua se pasurinë e burrit nuk e deklaroi për shkak se u bazua në ligjin gjerman për mbrojtjen e të dhënave personale, megjithatë një vit pas kishte vepruar ndryshe.
Aktakuza ndaj Gërvallës, e ngritur në 2023-n, thotë se ajo nuk e kishte deklaruar pasurinë më 22 mars të 2021-s. Vlera e pasurisë së bashkëshortit, sipas organit të akuzës, ishte rreth 53 mijë euro.