Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka zhvilluar sot një vizitë në terren në pellgun ujor të lumit Lepenc, ku u inspektua procesi i kontrollit të hidrocentraleve dhe zbatimi i legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e mjedisit dhe resurseve ujore.
Në këtë vizitë morën pjesë ministrja Fitore Pacolli, zëvendësministri Avni Zogiani si dhe përfaqësues të Inspektoratit Mjedisor. Qëllimi i vizitës ishte verifikimi nëse aktiviteti i operatorëve të hidrocentraleve zhvillohet në përputhje të plotë me lejet mjedisore dhe ujore, si dhe me standardet teknike dhe ligjore të përcaktuara.
Ministrja Pacolli, në deklarimin e saj për media, theksoi se vendosja e ligjshmërisë mbetet prioritet i ekipit të ri drejtues në Ministri.
“Ne tash jemi një ekip i ri në Ministri dhe kemi planet tona. Është e rëndësishme që të vendoset ligjshmëria, pra të sigurojmë që respektohet ligji në të gjithë sektorët që i mbulon Ministria. Njëri prej sektorëve jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe pjesë e prioritetit tonë janë ujërat. Do të fokusohemi që ujërat e shtetit të Kosovës të shfrytëzohen në mënyrën më të mirë të mundshme. Mbrojtja e lumenjve dhe ujërave të Kosovës është fokusi ynë kryesor”, u shpreh ajo.
Nga Ministria bëhet e ditur se kontrollet dhe inspektimet do të vazhdojnë edhe në zona të tjera, me qëllim garantimin e respektimit të plotë të legjislacionit dhe mbrojtjes së pasurive ujore të vendit.






